KomshiLOOK, nisma kulturore fituese e çmimit prestigjioz “New European Bauhaus 2026”

Historia e Violettës dhe Alfredos, nga ballkonet e lagjes Zhelezara në Shkup deri në Bruksel, në zemër të Bashkimit Evropian, është vlerësuar me çmim evropian. Nisma kulturore “KomshiLOOK” nga Maqedonia e Veriut është shpallur fituese e një çmimi të “New European Bauhaus 2026” nga Komisioni Evropian, në kategorinë “Rising Stars”, për fuqizimin e demokracisë vendore dhe të gjithëpërfshirjes.
Përmes veprës “La Traviata” në tri akte, frymëzuar nga opera e famshme e Giuseppe Verdit, “KomshiLOOK”-u e shndërroi hapësirën mes gjashtë pallateve në një skenë të hapur. Ballkonet dhe dritaret u bënë pjesë e shfaqjes, ndërsa banorët e zonës iu bashkuan publikut për të ndjekur historinë përgjatë lagjes së tyre. Me rreth 150 persona të përfshirë, mes tyre më shumë se 100 banorë të zonës, dhe afërsisht 2 000 vizitorë, projekti dëshmoi se si kultura mund t’i bashkojë komunitetet.
Madje, në këtë përshtatje skenike në rrugët rreth pallateve, tragjedia mori një fund të gëzueshëm: një festë dasme, e ndarë me të gjithë banorët e lagjes. Themeluesit e kësaj nisme shprehen se, “të jesh qytetar i mirë nis nga të qenë një fqinj i mirë”. Nisma promovon solidaritetin, qëndrueshmërinë dhe bashkëveprimin, duke treguar se si komunitetet vendore mund të luajnë një rol aktiv në formësimin e hapësirave të tyre kulturore.
Çmimet e “New European Bauhaus” vlerësojnë projekte novatore, të cilat ndërthurin qëndrueshmërinë, gjithëpërfshirjen dhe estetikën, me synimin për të përmirësuar jetën e komuniteteve vendore. Ky vlerësim evropian nderon qasjen krijuese të “KomshiLOOK” dhe nxjerr në pah mënyrën se si arti mund të forcojë demokracinë vendore, të rigjallërojë lagjet dhe t’i afrojë njerëzit me njëri-tjetrin.
Përgëzime “KomshiLOOK”-ut për dëshmimin se kultura nuk ka gjithmonë nevojë për një skenë madhështore. Ndonjëherë, mjaftojnë një lagje, njerëzit e saj dhe një histori që ia vlen të ndahet me të tjerët!




