Kalo te përmbajtja kryesore

Ambasadori Rokas në universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup tha se të rinjtë përcaktojnë agjendën

23/10/2026

Më 19 tetor, në kuadër të takimit të parë të një serie dialogësh universitarë, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, u takua me studentët e universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, duke u dhënë të rinjve mundësinë të bëjnë pyetje për tema që ata vetë i përzgjedhin përmes një votimi paraprak.

Dialogu i parë u përqendrua në tri tema kryesore:

  • rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së;
  • ndërtimi i së ardhmes në vend dhe
  • pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjen publike.

Duke diskutuar procesin e anëtarësimit të vendit në BE, Ambasadori Rokas rikonfirmoi shtysën e re dhe të vrullshme që ka marrë procesi i zgjerimit të BE-së. Ai konfirmoi se rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka qenë unik dhe i karakterizuar nga sfida, ndërsa vuri në dukje mbështetjen e fortë të qytetarëve për integrimin në BE. Si dhe ritheksoi se Bashkimi Evropian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj.

Lidhur me çështjen e ndërtimit të së ardhmes në vend, Ambasadori Rokas i nxiti të rinjtë maqedonas të shfrytëzojnë sa më mirë mundësitë e BE-së për udhëtime, arsimim dhe mobilitet. Njëkohësisht, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me vendin e tyre dhe të trasferimit të njohurive, aftësive dhe përvojës së fituar jashtë vendit, për të kontribuar në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.

Çështja e tretë e diskutuar ishte pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjen publike, ku studentët pyetën lidhur me rolin e të rinjve në hartimin e politikave dhe ndikimin në vendimet institucionale. Ambasadori Rokas theksoi rëndësinë e bordeve këshillimore rinore, duke vënë në dukje se si Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ashtu edhe ai vetë, në cilësinë e Ambasadorit të BE-së në vend, kanë krijuar organe të tilla këshillimore për të garantuar që këndvështrimet e të rinjve të merren në konsideratë. Ai i nxiti institucionet kombëtare të ndjekin një qasje të ngjashme, duke nënvizuar se kur të rinjtë dëgjohen dhe përfshihen aktivisht në vendimmarrje, ata ndihen më të lidhur me institucionet dhe aktorët e tjerë.

Duke folur për këtë nismë, Ambasadori Rokas theksoi se takimi në Shkup ishte vetëm i pari në një seri dialogësh të planifikuar në universitetet në të gjithë vendin. Në nëntorin e vitit 2026, dialogu i radhës pritet të zhvillohet në Manastir, duke vijuar përpjekjet e kësaj nisme për të vendosur zërin, pyetjet dhe përparësitë e studentëve në qendër të diskutimit.

Dialogët universitarë krijojnë një hapësirë për diskutim të hapur për integrimin evropian, mundësitë për të rinjtë dhe rolin e tyre në formësimin e të ardhmes së vendit, duke u dhënë mundësinë studentëve të përcaktojnë agjendën dhe të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me Ambasadorin e BE-së.

Ambasadori Michalis Rokas bisedon me studentët në dialogun universitar në Shkup
Studentët në dialogun universitar në Shkup

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut

BASHKOHU NË BISEDË

ABONOHU NË BULETINET DHE NJOFTIMET TONA

Abonohuni falas në buletinet dhe njoftimet tona për të marrë drejtpërdrejt në postën tuaj elektronike më shumë informacione nga EEAS dhe rreth veprimtarisë së BE-së në botë.

Informacioni në këtë faqe interneti u nënshtrohet kushteve të mëposhtme: Përjashtimi i përgjegjësisë | Mbrojtja e të dhënave personale. © Bashkimi Evropian 2026