Ecuria dhe sfidat në rrugën drejt integrimit në BE – Komisioni Evropian publikon për Maqedoninë e Veriut Raportin për vitin 2026

Më 4 nëntor, Komisioni Evropian publikoi për Maqedoninë e Veriut Raportin e vitit 2026, i cili ofron një pasqyrë të ecurisë së vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai prezanton arritjet kryesore, si dhe fushat ku nevojiten reforma të mëtejshme.
Raporti vlerëson përputhjen e plotë të Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke rikonfirmuar angazhimin e vendit ndaj prioriteteve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Zgjedhja e vendit si anëtar i Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC) për periudhën 2027–2029 dëshmon vijushmërinë e angazhimit të tij në bashkëpunimin shumëpalësh.
Përsa i përket procesit të përgjithshëm të reformave, Komisioni vëren përparim modest në disa kapituj të negociatave, duke theksuar paralelisht nevojën për përpjekje të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore dhe të stabilitetit institucional. Në sistemin gjyqësor është shënuar njëfarësoj përparim, ndërsa niveli i përgatitjes së vendit vlerësohet se qëndron mes një niveli të ulët dhe një niveli mesatar përgatitjeje. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit mbetet një shqetësim serioz, pasi nuk është shënuar përparim dhe korrupsioni vijon të jetë i përhapur.
Në aspektin ekonomik, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim të kufizuar dhe vijon të ketë një nivel të mirë përgatitjeje për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Gjithashtu, raporti thekson se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) u përshpejtua gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme.
Pas publikimit të Raportit, gjetjet kryesore të tij do t’u prezantohen organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve në mbarë vendin, duke nisur nga Shkupi e duke vijuar në qytete të tjera kryesore. Ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, së bashku me ekipin e Delegacionit të BE-së, do të drejtojnë këto prezantime, me qëllim për t’i përcjellë mesazhet kryesore të Raportit te publiku dhe për të nxitur diskutime për të ardhmen evropiane të vendit.
Një nga sfidat kryesore politike që mbetet ende e pazgjidhur është miratimi i ndryshimeve kushtetuese, përfshirë njohjen e komunitetit bullgar dhe të komuniteteve të tjera në Kushtetutë. Kjo mbetet një kusht për hapjen e grupkapitullit të parë të negociatave dhe për avancimin e procesit të negociatave të anëtarësimit.
Raporti për vitit 2026 ofron një pasqyrë të qartë si të ecurisë së arritur, ashtu edhe të reformave që mbeten për t’u ndërmarrë. Forcimi i institucioneve, avancimi i shtetit të së drejtës dhe ndërtimi i konsensusit politik do të mbeten thelbësore që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit evropian.



