Presidentja von der Leyen tha nga Shkupi: Vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian

Më 2 tetor, gjatë vizitës së saj në Shkup, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rikonfirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian në rrugën drejt integrimit në BE të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se vendi i përket familjes evropiane.
Në vijim të vizitës së saj vjetore në Ballkanin Perëndimor, në Maqedoninë e Veriut, ajo takoi kryeministrin, Hristijan Mickoski, dhe presidenten, Gordana Siljanovska-Davkova, të cilëve u rikonfirmoi se Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera të BE-së presin që Maqedonia e Veriut, së bashku me kulturën dhe gjuhën maqedonase, t’i bashkohet Bashkimit Evropian.
Gjatë qëndrimit, Presidentja e Komisionit Evropian vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Growth Plan -it të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Reformave, duke theksuar përpjekjet e vendit për të avancuar reformat dhe për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Ajo njoftoi gjithashtu se: investime të tjera nga BE-ja janë në proces dhe pritet të realizohen shumë shpejt.”
Po ashtu, Von der Leyen theksoi rëndësinë e integrimit gradual, duke përmendur AI Factory Antenna Vezilka në Maqedoninë e Veriut, si një shembull se si vendi mund të përfitojë tashmë nga bashkëpunimi i ngushtë me BE-në dhe të marrë pjesë në nisma që po formësojnë të ardhmen digjitale të Evropës.
Duke folur për procesin e zgjerimit të BE-së, von der Leyen theksoi se “momentumi për zgjerimin e BE-së është real dhe nuk duhet humbur. Ajo nxiti Maqedoninë e Veriut të vijojë dialogun me palën bullgare, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit drejt hapave të ardhshëm të procesit të anëtarësimit, përfshirë “hapjen e kapitujve negociues dhe zhvillimin e Konferencës së radhës Ndërqeveritare”.




